Në fillim bëhet planifikimi i mbjelljes së rasatëve. Mbjellja e rasatëve duhet të ndodh në periudhën nga fillimi I muajit Prill deri në fund të muajin Qershor. Kjo është periudha më e përshtatshme, sepse temperaturat variojnë 15 - 24 gradë Celsius dhe këto temperatura krijojnë kushtet e duhura për rasatin që të mbijetojë e të kryejë një aktivitet rritjeje sa më të mirë. Gjithashtu, periudha Prill- Qershor është e rëndësishme dhe për tregun, pasi ka të bëjë me ciklin e shitjes për vitin pasaardhës, e cila shkon nga 14-16 muaj.
Pasi përcaktohet sasia e mbjelljes vazhdohet me pergatitjen e infrastrukturës së bazës materiale, e cila ka të bëjë me larjen, lyerjen, disifektimin, vendosjen, lidhjen, sistemimin e rrjetave dhe koshave ku do të hidhen rasatët. Njëkohësisht, duke patur parasysh sasinë dhe peshën e një rasati përcaktohet dhe lloji dhe sasia e ushqimit që do të marrë ky peshk për periudhën 2-3 muaj. Ky ushqim është specifik për peshkun e vogël, I cili ka formula me vitaminat dhe proteinat e duhura për të kryer rritjen. Raporti se sa kilogramë peshk duhet të vendoset në një metër kub ujë,densiteti, është shumë I rëndësishëm dhe është një parametër që duhet treguar një kujdes rigorozisht I veçantë gjatë të gjithë proçesit të rritjes, sepse ka të bëjë me sasinë e oksigjenit në ujë, lëvizjen e peshkut dhe me të paturin e një produkti sa më cilësor e konkurrues në përputhje me të gjitha standartet shëndetësore, ekologjike e higjeno- sanitare.